NDRYSHIM?!? PO PËR KË? – A do ta fitojë, a duhet ta fitojë dhe si mundet ta fitojë Edi Rama mandatin e tij të tretë
Nga Leart Kola
Everything must change for everything to remain the same. (Gjithçka duhet të ndryshojë, që gjithçka të mbetet e njëjtë)
Edi Rama po futet në sezonin më të rëndësishëm të karrierës së tij si politikan, mandati i tretë është në fakt një hap historik, i cili nuk u arrit as nga ata, që njihen si themelues të dy partive, që sot dominojnë politikën shqiptare Nano dhe Berisha.
Shqipëria ka parë gjithçka, rrotacione pushteti me dhe pa dhunë por nuk ka parë në këto 30 vjet asnjë subjekt, që të qeverisë për 3 mandate me rradhë. Kjo i bën këto zgjedhje, që të jenë pika që do mbush kupën, apo konsolidimi i procesit zgjedhor në Shqipëri pa kontestime.
Pra që mandati i tretë i Edi Ramës të konsiderohet dhe të jetë i plotë vetë ai duhet të jetë i interesuar, që procesi të jetë super i rregullt. Çdo deformim, që do sillte fitoren e tij do i ngjante një fitore alla Lukashenko, kur ai dhe vendi ka nevojë të ketë një fitore alla Merkel.
Fushata po ashtu ka nevojë të ndryshojë, nëse Edi Rama mendon se mund të bëjë të njejtën gjë që bëri para katër vjetësh me tepsi dhe timon, gabohet shumë rëndë. Situata është siç do thoshte Zizek, katastrofike (për aryse të problemeve ekonomike dhe sociale) por aspak serioze (në trajtimin politik dhe institucional të saj).
Pjekuria e një programi politik rimëkëmbjeje është një parakusht për partinë që, po kërkon të thyejë këtë tabu historike. Për të bërë të mundur këtë gjë, mendoj se asaj i duhet të ndryshojë disa prej elementëve të funksionimit të saj organizativ dhe ideologjik.
1 – SKUADRA SKUADRA SKUADRA
(strategy over vanity)
Politikanët ballkanikë zakonisht thonë atë, që nuk bëjnë dhe bëjnë atë që nuk thonë. Në këtë rast përmendin pa fund skuadrën, por me skuadër nuk kanë parasysh një ekip por veten dhe kur dalin fytyra të tjera ata nuk janë të atyre, që mund të kenë shkëlqyer në ndonjë angazhim publik apo akademik, por janë kryesisht nëpunës që nuk i thonë jo shefit.
Në Shqipëri kudo jo vetëm në PS nuk ekziston skuadra, por vetem individi dhe kur bëjmë analizën e kabinetit qeveritar nuk mund të analizojmë punën e minstrave, por reflektimin e punës së Ramës në keto ministri.
Eksperimenti i tij për të vendosur emra të panjohur dhe ministra, që ishin të palidhur me individë apo territore të caktuara por të lidhur vetëm me Ramën nuk funksionoi. Në shumicën e rasteve ishte vetë ai që jo vetëm nuk e ndihmoi këtë proces, por në shumicën e rasteve mbase pa dashjen e tij e sabotoi.
Zelli që tregoi në mbrojtjen e Gent Cakaj si ministër i jashtëm duke e shpallur botërisht “gjeni” jo vetëm, që e bëri qesharake këtë zgjedhje (i çmendur nuk është vetëm ai, që e konsideron veten mbret por dhe mbreti që i referohet vetes si mbret), por e dëmtoj dhe vetë Gentin duke mos i dhënë asnjë mundësi që ai të konsiderohej si një administrator i mirë sepse tashmë ishte interpeluar në rolin e gjeniut.
Në kushte të tjera, mbase, po të mos kish patur goditjen e tërmetit dhe pandemisë kabineti mund të kishte patur një performancë më të mire. Puna e ministres së Arsimit u zhvillua në kushte ekstreme të cilat ishin jashtë forcës së saj, por ministria përgjatë gjithë kohës, që Besa Shahini është aty, nga një çerdhe korrupsioni sot është një nga të paktat institucione, që nuk përflitet për skandale të tilla në publik dhe ky për Shqipërinë është një hap kolosal kur kemi parasysh sa i fortë dhe i ndërlikuar është rrjeti korrupsionit.
Mbase në kushte të tjera mund të kishte funksionuar, por për fat të keq thjesht nuk ka më kohë, as për të pritur as për të bërë eksperimente të tjera. Edi Rama ka nevojë kësaj here për skuadrën për të fituar zgjedhjet, nuk mundet ta marrë këtë mandat të tretë i vetëm siç ka bërë me proceset e shkuara.
Partia, që të mund të fitojë përsëri ka nevojë të ketë përfaqësuesit e vet në qeveri, ka nevojë për Ministra të lidhur jo vetëm me bazën politike të saj, por duhet të jenë njerëz që mbajnë peshën e vendimeve të tyre në cabinet. Këtu nuk është fjala, që të ndërrosh Anila Denajn me Niko Peleshin, por kujtdo që do vendoset në ato pozita ti lihet hapësira të ndërtojë politika sektoriale në mënyrë, që njerëzit ta ndiejnë që koha e eksperimenteve të laboratorit njerëzor, në të cilën është transformuar ajo parti ka marrë fund dhe që më në fund njerëzit po bëhen seriozë, po e marrin seriozisht punën e tyre, që në fakt është shumë serioze, sepse në një vend të vogël dhe të pamundur ekonomikisht si Shqipëria, vendimet e institucioneve dhe politikat e tyre luajnë një rol dominant në përcaktimin e suksesit apo të dështimit në jetën e gjithësecilit.
Faqja e parë DITA, 7 shtator 2020
2 – IDETË
If I tell lies I shall tell them in the conviction that I am not telling them.
(Nëse them gënjeshtra do t’i them me bindje se nuk po i them)
Në Shqipëri ideologjikisht kemi vetëm parti të djathta me emra të ndryshëm. Kjo nuk është ndonjë hata, as ndonjë blasfemi për ata që militojnë në këtë rast në Partinë Socialiste. Ky është një fenomen, që ka ndodhur me gjithë partitë ish komuniste, që lindën si të qendrës së majtë dhe pastaj si me stil, u zhvendosën dajthtas, duke mbajtur emrin si garanci, që të mos humbnin votat e antarëve të vjetër të partisë.
Kjo u kuptua kur pas një “intermexo”, që PS bëri në programin e 2013 kur foli për shtetin social, shëndetësinë falas etj., menjëherë pas zgjedhjeve në derë të saj u shfaq i famshmi Rikardo Hausman, justifikuesi i gjithë politikave neo-liberale, që mbeshteteshin nga juntat fashiste në Amerikë Latine. Për këtë arsye dhe në mënyre logjike mandati i parë por sidomos mandati i dytë i Ramës, ishte një tregues jo vetëm, që Hausmani ishte në shtëpi të vet, por që Partia në fakt ishte e djathtë. Partneriteti publik privat, koorporata investimeve të gjitha këto janë ide të djathta.
Atëherë lind pyetja a mos është më kollaj, që thjesht të thuhet e vërteta?! Çfarë e ndalon sot Ramën të përqafojë bindjet e tij të djathta publikisht, kur deri më tani asnjë antar partie as nuk e ka çarë kokën hiç nësë nje politikë është e djathtë apo e majtë. Po sikur këto zgjedhje të hidhet poshtë manteli hipokrizise dhe vete partia ti japë më në fund vendit një program që edhe vetë ajo dhe sidmos Ai si i djathtë e beson?
Nuk ka asgjë më revolucionare se të thuash të vërtetën dhe ky mandate i tretë është në fakt një kërkesë revolucionare, që i bëhet popullit për mbështetje. A do mund të ishte pikërisht kjo ideja qëndrore, e kësaj fushate “të themi të vërtetën”. E pse mos e fillojmë duke thënë të vërtetën për programin neo-liberal qeveritar, që më në fund dikush ta shpjegojë këtë mantrën e ekonomisë, që privati është një administrator më i mirë i lekëve tona dhe se vetë shteti, sepse kemi nga 91-shi, që e aplikojmë por askush nuk na e ka shpjeguar shkencërisht si funksionon kjo në të mirën publike.
Edi Rama duhet ta marrë këtë përgjegjësi për ti thënë të vërtetën shqiptarëve në këtë fushatë për mandatin e tretë sepse dhe si funksion pragmatik, robi nuk gënjehet dot tre herë rresht.
3 – IMAGJINATA.
Nell’ottocento i tedeschi non hano fatto che dipingere i loro sogni, e non ne e risultato altro che verdura, ai francesi bastava dipingere verdura perche fosse gia un sogno.
(Në vitet 1800 gjermanët pikturonin ëndrrat e tyre dhe gjithçka ishin krejt perime, francezëve nga ana tjetër ju mjaftonte të pikturonin perime, që ngjahësonin me ëndrra)
Edi Rama nuk të kënaq më kur flet, nuk të zgjon asnjë lloj imagjinate, ai për fat të keq, e ka humbur këtë aftësi, që e bëri atë të ecte kaq lart në politikë. Nëse përjashton ndonjë obituar për ndonjë shok të vjetër, të cilat akoma mund të klasifikohen si të lexueshme pjesa tjetër i ngjan rromuzeve të mejhaneve, shakara pa kripë do thonin ata të moshës së tij. Mund të jetë, që nuk lexon më, gjë që ndodh rëndom me ata që merren me politikë active.
Mund të jetë, që në këto 8 vite ka qendruar aq shumë me biznesmenë dhe gangsterra të viteve 90, (për të cilët PS është kthyer në një muze) sa i ka humbur fjalët në eter. Këtë nuk e di, por ajo që di është që nëse duhet të frymëzosh njerëzit për të bërë këtë kapërcim politik duhet ti zgjosh imagjinatën sepse jo gjithçka është organizim.
Ka dhe diçka, që e ngre peshë zemrën e njerëzve, që i bën ata të përjetojnë shpirtin kolektiv e që është kulminacioni i angazhimit politik dhe ajo është fjala. Njerëzit janë përballur politikisht dhe kanë fituar, duke u mbështetur te ajo. Me fjalë filozofët kanë ndryshuar botën, fjala në thelb është arma më e fortë që një politikan ka dhe këtë ‘fjalë’ Edi Rama e ka humbur. Eshtë përsëritës dhe për fat të keq ka krijuar dhe bindjen deri diku raciste, që e di ‘ça do shqiptari’, sepse e sheh në facebook. Kjo është jo vetëm psikologjikisht e pasaktë sepse dihet botërisht, që nuk mund të bësh analiza mbi alteregot e njerëzve, por dhe krijon atmosferën e rrezikshme, që kur humb nuk e di nga të vjen.
Nuk ka nevojë të dish çfarë shkruan shqiptari në facebook, mjafton të shohësh strukturën tonë ekonomike, që i përngjet vetëm vendeve të kontinentit afrikan e asnjë lidhje nuk ka me Europën apo perëndimin, për të kuptuar që shumçka nuk ecën.
Mjafton të shohësh pasojat ekonomike të pandemise, dëmin e tërmetit për të kuptuar, që këtu është nevoja që Edi i vjetër, të zgjojë një imagjinatë të re, sepse nëse pesimizmi i votuesve është ky, që është sot dhe mënyra e adresimit të këtij pesimizmi është ai që u bë te klubi Lucës në Elbasan, atëherë nuk duket se gjërat janë duke shkuar mirë. Ik nga facebooku Kryeministër, dil nga restorantet, bëje pauzë për një moment takimin me biznesmen dhe të fortë dhe shko në bibliotekë, do të bëjë mirë ty, do ti bëjë mirë fushatës, do na bëjë mire dhe ne, që duam të kundërshtojmë bindjet tua të djathta me ide politike jo me muhabete si ato, që bëhen në parlament sot.
4 – NE VEND TË MBYLLJES
(kam dhe një frikë tjetër)
Fushata e PS në mënyrë shumë të rrezikshme po shkon drejt “fajin e ka saliu”. Nuk ka ndonjë gjë me këtë, sepse për mua sa të jem gjallë fajin do e ketë Saliu si njeriu, që pati mundësinë historike për ta ndryshuar Shqipërinë dhe bëri atë që bëri, por ta zgjedhësh si temë qëndrore fushate më duket tepër e gabuar. Së pari sepse të njejtën atmosferë, që ishte në 2005-ën po e shoh dhe sot.
Atëherë socialistët mendonin se do e merrnin pushtetin pavarsisht zhytjes deri në fyt në korrupsion sepse besonin, që për arsye të 97-ës askush nuk do e votonte Saliun, por ja që zullumi u bë aq i madh sa jo vetëm e votuan po e mbajtën dhe nja 8 vjet në kurriz.
Jo vetëm kjo, por më duket dhe formë tepër qaramane e të bërit fushatë kur je duke kërkuar që të jesh 12 vjet në pushtet. Ka gjithashtu dhe një problem tjetër të vogël me ndryshimet kushtetuese pas Gërdecit, dhe me ZERO të akuzuar në 8 vjet për 21 Janarin, me familjen e bizneset e PD që kanë lulëzuar në këtë periudhe është si më e udhës mos të përmendet farë më mirë kjo punë, nuk më duket inteligjente që fushata e të ardhmes të mbeshtetet tek e shkuara edhe sepse kjo e shkuar ka shumë skelete në dollap për Edi Ramën në vecanti dhe për PS në përgjithësi.
PS.
Mbetet për tu parë nëse eleminimi i një prej partive të djathta zgjedhjet e ardhshme, do mund te krijojë kushtet për ndërtimin e një partie të majtë në Shqipëri.
———-
Botuar sot si kopertinë e DITA. Ndalohet ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit