Analizë e efekteve ekonomike dhe sociale të praktikës së vetëpunësimit 

 

Vetëpunësimi paraqitet si një fushë shumë pak e hulumtuar apo e analizuar, si nga aspekti ekonomik – ndikimi i përgjithshëm në ekonomi ashtu edhe nga ai social – efektet në kualitetin e jetës së të vetëpunësuarve. Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane ka ndërmarrë një hulumtim të tillë si pjesë e angazhimit për avancimin e politikave, që bazohen në parimin kushtetues të shtetit social dhe të cilat duhet të risin barazinë ekonomike dhe drejtësinë sociale në vend.

Hulumtimi mbi trendet dhe dinamikat e vetëpunësimit në Shqipëri erdhi si rezultat i një  analize fillestare rreth strukturës së fuqisë punëtore në Shqipëri, ku sipas statistikave të Bankës Botërore niveli i të vetëpunësuarve në vitet e fundit është gjithmonë mbi gjysmën e numrit të përgjithshëm të punëtorëve në vend. Në vitin 2013 ky institucion ndërkombëtar ka llogaritur një nivel prej rreth 60 % të vetëpunësuar në Shqipëri.

Nga analizat krahasimore të realizuara nga Instituti, rezulton që numri i të vetëpunësuarve në Shqipëri është dy deri tre herë më i lartë në krahasim me vendet e rajonit si Maqedonia (21.8%), Serbia (28.3%) dhe Kroacia (12.4%). Statistikat e përgjithshme në rang botëror tregojnë se në parim në vendet me ekonomi më të zhvilluar niveli i vetëpunësimit është më i ulët, ndërsa në ato me ekonomi në zhvillim hasim nivel më të lartë të vetëpunësimit.

Kjo tendencë ka të bëjë me një sërë faktorësh që vijnë si rezultat i zhvillimit ekonomik ndër të cilët janë: ofrimi i rrogave të larta, modele të avancuara të sigurimit shëndetësor dhe pensioneve, standarde të larta të mbrojtjes në punë, shkurtimi i orarit të punës nën tetë orë në ditë etj.  Shtetet e Bashkimit Evropian, nivelin e vetëpunësimit e kanë nën 15 % ndërsa shtetet e Afrikës janë mbi 70 %.

Gjithashtu, Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane ka gjetur edhe diferenca të të tjera të mëdha në lidhje me strukturën e punëtorëve në Shqipëri krahasuar me vende të rajonit si dhe të Bashkimit Evropian. Për shembull, në Bashkimit Evropian punësimi me pagesë është në nivelin e 84%, ndërkohë në Shqipëri ky nivel është drastikisht më i ulët dhe kap vetëm 35.6% të numrit të përgjithshëm të punëtorëve.

Shqipëria shënon një dallim shumë të madh në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian, dallime këto të cilat Instituti konsideron se duhet të adresohen përmes politikave multisektorale dhe afatgjata si në ekonomi ashtu edhe në tregun e punës.

Nga analiza e të dhënave rreth tendencës së angazhimit si anëtarë të familjes pa pagesë del që dallimi mes burrave dhe grave është i dyfishtë. Përderisa niveli total i anëtarëve kontribues të familjes që nuk marrin pagë përbën mbi një të tretën e numrit të përgjithshëm të punëtorëve, gjasat për tu angazhuar në një aktivitet të tillë janë 51.9% për gratë ndërsa 25.9% për burrat.

Hulumtimi i Institutit të Studimeve Sociale dhe Humane përfshin edhe aspekte të tjera së tregut të punës dhe ekonomisë, që lidhen me statusin e punës në Shqipëri si dhe me dinamikat e vetëpunësimit në vend, të cilat do të publikohen së shpejti në botimin e plotë të studimit.

Analiza e elementeve mbizotëruese ekonomike dhe sociale në Shqipëri tregon që të vetë punësuarit në krahasim me të punësuarit me rrogë, janë në masë më të madhe të ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë, të ardhurave të pasigurta si dhe ngeljes jashtë skemave të sigurimit shëndetësor dhe shoqëror. Rreth 20% i të vetë punësuarve në Shqipëri nuk paguajnë kontributet shoqërore që vjen si efekt i nivelit të ulët i të ardhurave.

Për të ulur nivelin e vetëpunësimit të rrezikshëm për punëtorët, është e nevojshme të rritet numri i vendeve të punës me pagesë dhe që ofrojnë një stabilitet me të madh. Duke pasur parasysh që sektori industrial ofron më shumë vende të tilla pune si dhe ndikon në masë më të madhe në prodhimin e të mirave të tregtueshme e që për rezultat sjellin ta ardhura më të mëdha në treg, Qeveria Shqiptare duhet të përpilojë politika afatgjate ekonomike për të rritur sektorin industrial në vend. Një gjë e tillë mund të arrihet duke ofruar subvencionime, lehtësime tatimore fillestare si dhe përmirësim të infrastrukturës përkrahëse për investimet në industri.

Në politikat për tërheqje të investimeve të jashtme duhet dhënë prioritet investimeve në prodhim dhe jo në shërbime (banka dhe telekomunikim). Në këtë drejtim është e rëndësishme që marrëveshjet për investimet në industri të kenë të vendosura standarde adekuate për mbrojtjen e punëtorëve, rrogave të tyre, mbrojtjen e ambientit dhe respektimit të disiplinës fiskale. Shume vende, siç është rasti me Maqedoninë, duke tentuar të risin sektorin industrial përmes investimeve të huaja me çdo kusht, rezultojnë të tërheqin investime toksike si për punëtorët ashtu edhe për ambientin dhe buxhetin e shtetit.

Dokumentin e plotë të analizës e plotë e gjeni në linkun në vijim:

STATUSI I PUNES NE SHQIPERI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Analiza “Statusi i punës në Shqipëri” është pjesë e projektit “Orientimi i politikave ekzistuese me në qendër nevojat e punëmarresit dhe rritje të barazisë shoqërore” që është i mbështetur nga Agjencia për mbështetjen e shoqërisë civile.