“Rruga drejt të vërtetës”
Fjala e Klotilda Ferhati, deputete e Kuvendit të Shqiprisë në aktivitetin “Rruga drejt të vërtetës: Shqipëria kundër pretendimeve për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri” në kuadër të ekspozitës “Në emër të lirisë” nga Rexhep Selimi, të organizuar më datë 28 shkurt 2023, ora 18:00 në COD – Center For Openness And Dialogue.
Shqipëria kundër pretendimeve për trafik organesh njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri nuk është vetëm nje çështje e rëndësishme e interesit kombetar për Shqipërine e Kosovën, por mbi të gjitha për të vërtetën dhe drejtësinë në funksion të pajtimit mes popujve në Ballkanin Perëndimore.
Pretendimet e pabazuara se pjestarë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës kanë kryer vrasje me qëllim nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri përmenden në raportin e Janarit të vitit 2011 të ish anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dick Marty.
Mbi këtë raport, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi Rezolutën 1782 (2011) për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligishëm të organeve njerëzore në Kosovë”.
Zanafilla e këtij raporti ishte mocioni për rezolutë i 15 Prillit 2008, me autor ish anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës z.Konstantin Kosachev, nga Federata Ruse, Partia “United Russia” e z.Vladimir Putin, dhe Grupi Europian Demokrat.
Si mocioni për rezolutë, raporti i Dick Marty ashtu dhe Rezoluta 1782 (2011) patën si argumenta bazë kujtimet e znj. Carla Del Ponte, ish Prokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë, ICTY, nga viti 1991.
Ponte në librin e saj “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës”, botuar dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe reth tre muaj pasi kishte dhënë dorëheqjen si prokurore e ICTY, ngrinte dyshime se pjestarë e drejtues të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës kishin kryer trajtime çnjerëzore të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri.
Këto pretendime ishin hetuar edhe më parë nga zyra e ICTY gjatë mandatit të znj. Del Ponte, por nuk ishin gjetur prova për të bazuar pretendimet për kryerjen e këtyre krimeve të tmerrshme të vrasjes së njerëzve me qëllim marrjen e organeve njerëzore dhe trafikun e tyre nga ana e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por megjithatë Rezoluta 1782 (2011) u miratua duke i hapur kështu rrugën hetimeve për zbardhjen e së vërtetës.
Edhe pse raporti i Dick Marty, nuk ishte një raport faktmbledhës apo hetimi, shërbeu si dokumenti ku u bazuan rekomandimet në rezolutën 1782 (2011) të APKiE-së drejtuar vendeve anëtare të Keshillit të Europës, Bashkimit Europian, organizatave ndërkombëtare, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe mbi të cilin u realizuan një sërë nismash kushtetuese dhe/ose ligjore dhe rregullatore, si dhe veprimtari institucionale në Kosovë, Shqipëri dhe Bashkimin Europian (EULEX).
Kosova ndryshoi Kushtetutën.
Shqipëria beri një ligj … u lëvdua.
Sot pas më shumë se 12 vitesh, rezulton se asnjë nga misionet dhe/apo hetimet e organeve të drejtësisë vendase apo ndërkombëtarë të realizuara në zbatim të Rezolutës 1782 (2011) nuk kanë gjetur asnjë fakt e asnjë provë që të vërtetojë pretendimet e ngritura në raportin e z. Dick Marty për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri.
Konkretisht, përgjatë këtyre viteve janë kryer hetime të thelluara nga Task Fora Hetimore Speciale e BE-së kryesuar nga Clin Billiamson si dhe nga pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar. Kjo e fundit pas përfundimit të hetimit shumëvjeçar, në aktakuzat e paraqitura në Dhomën e Specializuar në Hagë në vitin 2020, nuk ka ngritur asnjë akuzë lidhur me trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore ndaj asnjë prej anëtarëve të UCK që ndodhen në proçes giykimi në Hagë. Në aktakuzë, jo vetëm që nuk ka akuzë për pretendimet për trafikun e organeve njerëzore, por kjo çështje as nuk përmendet në ndonjë paragraf të aktakuzës.
Pra, rezulton qartësisht se nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri, Kosove a gjetkë në rajon, për vrasjen e personave me qëllim nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore e cila do të mund ti ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këto kushte, në respektim të drejtësisë dhe së vërtetës, për të cilat dhe u miratua mbi 11 vjet më parë Rezoluta e APKiE 1782 (2011), Shqipëria veson se po kjo Asamble sot ka përgjegjësinë të realizojë një raport vijues në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, si dhe të njohë se pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e për rrjedhoje duhet të konsiderohen si të tilla nga Asambleja e Këshillit të Evropës, shtetet anëtare të Këshillit të Evropës si dhe nga të gjitha institucionet kombëtare e nderkombëtare.
Është fakt se si Shqiperia ashtu dhe Kosova, kanë treguar vullnet pa rezerva me të gjitha institucionet ndërkombëtare, për hir të së vërtetës dhe drejtësisë, që pretendimet në raportin e Dick Martit të hetoheshin plotësisht. Shqipëria miratoi një ligj të posaçëm për ndihmën e ndërsjellë juridike në funksion të zbardhjes së të vertetës dhe bashkëpunoi me çdo mision ndërkombëtar hetimi, ndërsa Kosova miratoi amendime kushtetuese ku parashikohej posaçërisht, në tekst kushtetues, hetimi i pretendimeve të raportit të Dick Marty dhe ngritja e prokurorisë dhe gjykatës speciale të Hagës.
Si prokuroria speciale ashtu dhe gykata speciale e Hagës që u ngritën në bazë të amendamentit kushtetues në Kosovë, u krijuan me ligi të posaçëm të Kosovës dhe ushtrojnë funksionet e tyre si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me prokurore e gjyqtarë si dhe staf të huaj, pra jo shtetas të Kosovës, për të evituar çdo anshmëri, varësi dhe subjektivizëm në proces.
Dhe pikërisht, kjo Prokurori Speciale në aktakuzat që paraqiti në Gjykatën Speciale në Hagë nuk ka ngritur asnjë akuzë për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë apo Shqipëri.
Ndaj Shqipëria vlerëson se koha është sot që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të nderojë vlerat që përfaqëson kjo organizatë dhe të pranojë të vërtetat se në Shqipëri dhe Kosovë nuk janë kryer krime të trafikut të organeve njerëzore nga pjestarë të UCK.
Rezoluta e Asamblesë, që u miratua në bazë të një raporti me pretendime të pavërteta ka minuar vlerat e demokracisë, lirisë dhe përpjekjet për pajtimin mes kombeve, si dhe u ka vënë shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri një njollë të padrejtë që u rëndon njësoj brezave të mëparshëm dhe atyre të së ardhmes.
Nuk është njollosur padrejtësisht vetëm integriteti i kauzës së drejtë të luftës së Uçk-së që ishte reagim legjitim në mbrojtje të jetës dhe lirisë së popullit në Kosovë, por edhe qytetarët e dy shteteve, që besojnë te vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës.
Kujtojmë se Shqiperia është anëtare e Këshillit të Evropës që në vitin 1995, ndërsa Kosova aspiron të jetë anëtare e kësaj organizate teksa ka bërë përparime dhe ka arritur standarde për t’a merituar vendin e barabartë me anëtarët e tjerë të Këshillit të Evropës. Qytetarët e Kosovës
kanë të drejtë të gëzojnë mbrojtjen nga mekanizmat e Këshillit të Evropës, veçanërisht nga Konventa Evropiane e të drejtave të njeriut dhe Gjykata e Strasburgut. Ndaj, Asambleja Parlamentare e Këshillit te Evropës duhet të korrigjoj gabimin tragjik ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, pasojat e të cilit vazhdojnë të dëmtojnë jo vetëm dy vendet tona, por edhe të drejtën e të vertetën si edhe mirëkuptimin e paqes në rajon e më gjerë.
Asambleja Parlamentare nuk duhet ta bëjë këtë vetëm për të respektuar të drejtën, të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe Kosovës por edhe për kredibilitetin e vetë Asamblesë dhe vlerave që ajo përfaqëson e mbron.
Në dritë të sa më sipër,
Siç mund të jeni në dijeni më 21 korrik 2022 Kuvendi i Shqiperisë ka miratuar unanimisht Rezolutën “Mbi pabazueshmerine e pretendimeve per trafikimin e paligishem te organeve njerëzore ne Kosove dhe Shqipëri.”
Teksti i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë i është dërguar autoriteve dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 12 gusht 2022, përfshi dhe lutjen që t’i njoftohej secilit vend anëtar të Këshillit të Evropës.
Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë i bën thirrije Asamblesë Parlamentare të Keshillit të Europës të hartojë një raport vijues mbi Rezolutën 1782 (2011), në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, dhe fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara nga ku rezulton se pretendimet për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri janë të pavërteta, të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara dhe duhet të njihen si të tilla nga të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Gjithashtu, në 12 tetor 2022, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, mbajti një fjalë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilin bëri të njohur dhe përmbajtjen e Rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë si edhe pathemeltësinë e akuzave mbi të cilat ishte miratuar rezoluta e Asamblesë Parlamentare mbi raportin e Dick Marty në vitin 2011, duke nënvizuar gjithashtu se, për fat të keq, këto akuza vazhdojnë të ushqejnë armiqësine dhe ksenofobinë ndaj shqiptarëve.




Related articles More from author
-
PROJEKT-REZOLUTË
18 Korrik, 2022 -
Thirrje për Aplikim :Takime diskutuese njëditore me të rinj
26 Shtator, 2017By admin -
Workshop Tiranë – Youth Channel
20 Janar, 2022