9 Marsi
8 Marsi është një ditë, që na kujton rezistencën e vajzave dhe grave ndër vite, e patjetër është një ditë që meriton të festohet, meriton të kujtohen të gjitha arritjet dhe betejat e fituara, që nga e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, për tu arsimuar, për tu martuar a për tu ndarë deri tek betejat më të vona si ajo e pagës dhe mundësive të barabarta në vendin e punës.
Por ne i duam gratë, e duam punën e tyre, prezencën e tyre e kemi detyruar me kuota nëpër komisione, në parlament, në emisione, në qeveri, në art e sport. Por ka ende një ‘por’. Si mund ti komplimentojmë gratë dhe vajzat pa i diskriminuar, pa i lavdëruar ‘gjysma më e mirë’. Se nëse është e vërtetuar, që në masë janë të gjitha pa përjashtim më të mira atëherë do duhej, që menjëherë ti zevendësonim të gjithë burrat nga i pari tek i fundit me gra, që sot në 9 Mars. Ndërkohë, që secili burrë apo grua është një qënie unike, me personalitet jo identik me tjetrin e ashtu siç ka burra kapitalist ka dhe gra kapitaliste, siç ka burra punëtor ka dhe gra punëtore, siç ka burra të këqinj ka dhe gra jo gjysma më të mira.
Po të hapim televizorin dhe të shikojmë me vëmendje mënyren se si bëhen komplimentet, vëmë re që për vajzat përdoren fjalë si e lezeçme, e bukur, e mirë, simpatike, e kuruar, e pastër. Ndërkohe sillni nëpër mend djem për të cilët flitet mirë, i referohemi si, është i zgjuar ai, i talentuar, ka humor, është i zoti, ka guxim. Kjo ndarje është bërë pjesë e mënyrës sonë të komunikimit e nis, që para se ne të lindim dhe na shoqëron gjithë jetën. Në këtë mënyrë ne ju mësojmë vajzave, që vlerat e tyre qëndrojnë tek aparenca, ndërsa djemve tek aftësitë e tyre. Për të gjithë ata që ju ngrihen nervat me feministet, gjëja që dua të them, është që jo gjithmonë është një gjë e keqe të komplimentosh një vajzë apo një grua për mënyrën se si duket, problemi është kur komplimtet janë për dukjen gjithmonë.
Gjithashtu ka edhe stereotipe gjinore të tjera, që nuk i dihet pikënisja por merren si të mirëqena. Burrat janë drejtues më të mirë se gratë. Gratë nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën në vendin e punës, ndërsa midis burrave ka më shumë mirëkuptim. Gratë zihen shumë me njëra-tjetrën dhe mbajnë inate, burrat jo. Kur drejtori është burrë i trajton më mirë vartëset gra, ndërsa kur drejtoreshat janë gra, janë shtriga. Dhe ironia më e madhe qëndron kur fjalinë ‘Gratë janë më të zonjat se burrat!’ e duartrokasim vetëm kur e thotë një burrë. Ndërkohë është statistikisht i pamundur çdo përgjithësim i tillë, një grua specifike mund të jetë më e zonja se një burrë në një detyrë specifike ose anasjlltas, por jo e gjithë rraca njerëzore.
Ne ndërkohë, gjysma e popullsisë jemi duke vazhduar të punojmë çdo ditë, mes pargjykimeve e prapagjykimeve, por për aq kohë sa vendimarrja bëhet pas dyerve të mbyllura ku gratë nuk janë pjesë e diskutimit, atëherë le ti kursejmë edhe komplimentet kot për to.