OPEN BALKAN – Shkrim PRO Ballkanit të Hapur nga Leart Kola – copy
“Darkness cannot drive out darkness; only light can do that. Hate cannot drive out hate; only love can do that. ” – thotë Dr. Martin Luther King, Jr. për të shpjeguar se dhuna nuk mund të përdoret si mjet kundra dhunës, vetëm e kundërta e saj mund ta mposhtë atë.
Sot në ballkan Shqiptarët ndodhen në të njejtën dilemë që perifrazon King, Jr. në shprehjen e tij. Në këtë situatë ku kemi një rritje të nacionalizmit jo vetëm nga fqinjët, por në përgjithësi në politikën populiste, që po zhvillohet në gjithë botën a duhet ne ti kthehemi me më shumë nacionalizëm?
A duhet provokimeve të bandave serbe në veri të Kosovës ti përgjigjemi me më shumë dhunë?
A duhet, që gjuhës së dhunës, që po përdoret këto ditë nga e djathta në Maqedoni, partitë shqiptare ti përgjijgen me më shumë gjuhë dhune?
A duhet, që dhunës që u ushtrua nga policia malazeze ndaj profesorit shqiptar (cilado qoftë arsyeja apo sjellja e tij askush nuk i jep të drejtë askujt të përdorë dhunë) ti përgjigjemi duke rrahur ndonjë profesor malazez?
Dhuna nuk na shpëton nga dhuna, por na fut në një spirale dhune e cila mund të jetë e famshme për të marrë vota apo Like (këto të fundit po rezultojnë më të rëndësishme dhe se vetë votat) nga partitë në Ballkan, që përherë e më shumë po anojnë nga nacionalizmi obskurantist i shekullit të kaluar, apo do e ‘çajmë” ciklin e mbyllur të historisë për të ndërtuar një front të gjërë ndëretnik anti-nacionalist, që do mund ti përgjigjej urrejtjes me dashuri (në kuptimin politik të fjalës)?!
Ballkani i Hapur si ideja e vetme moderne anti-populiste në rajon
Çdo ditë e më shumë idetë e errëta nacionaliste të shekullit të kaluar janë duke u rikthyer si propagandë populiste e partive aktuale. E vetmja ide moderne anti-populiste në rajon, që merr në konsideratë mundësitë reale të zhvillimit ekonomik për të gjithë vendet është nisma për krijimin e Ballkanit të Hapur.
Open Balkan si iniciativë vetiake, në ato muaj që u morr seriozisht, solli avancim më shumë se cilado iniciativë e sponsorizuar nga ndërkombëtarët gjatë tre dekadave të fundit. Kjo është e qartë si drita e diellit, kur sheh avancimin në; lejet e punës, në bashkëpunimin rajonal, tregtisë dhe marrëdhënieve ekonomike të vendeve pjesmarrëse, përkundër ‘Western Balkan’-it të famshëm, që në 5 vitet e fundit organizoi disa konferenca sporadike dhe që varet në “terezinë” dhe axhendën e vendeve të mëdha, ku prioritet me të drejtë kanë mirëqënien e vet dhe sipas asaj e organizojnë dhe kalendarin e tyre politik. Fundja Europa nuk ka për detyrim të babysit Ballkanin perëndimor, aq më pak kjo Europë që kemi sot ku përherë e më shumë partitë në pushtet janë izolacioniste.
Europa ku aspirojmë si Ballkan të hyjmë nuk është një aktualitet politik, por një koncept dhe ajo na ka treguar me shembullin e saj se paqja ruhet vetëm kur popujt bashkëveprojnë ekonomikisht me njëri-tjetrin, kur nuk ka kufi, ku punëtorët, intelektualët e profesionistët e cilësdo kategori mund të jetojnë e punojnë në gjithë gjeografinë e saj. Europa, që njohim sot, ajo e paqes më të gjatë në histori erdhi si një marrëveshje ekonomike e më pas politike.
Rritja e nacionalizmit dhe e partive nacionaliste në Ballkan është një lajm i keq
Rritja e nacionalizmit dhe e partive nacionaliste në Ballkan është një lajm i keq, jo vetëm për të ardhmen e tyre në Europë por dhe për vetë ekzistencën e tyre. Ne kemi parë se si mohimi i bashkëjetesës me tjetrin, që nuk ndanë të njejtën etni me ty, ka sjellë ose shkatërrime shtetesh ose krijime shtetesh jo funksionale, të cilat gjenden vazhdimisht në kushte ekzistenciale e për pasojë nuk mund ti sigurojnë as minimumin jetik banorëve të tyre. Kjo situatë bëhet tragjike sidomos në kushtet e reja gjeopolitike, që po krijohen nga lufta në Ukrainë.
Shqiptarë, Sllavë, Turq, Grekë etj. kanë qindra vjet, që bashkë ekzistojnë në këtë gadishull, shpesh herë në gjendje lufte e ndonjëherë në gjendje paqeje e për sa kohë Rama, Albini, Vucic, Mitsotakis, Erdogan apo kushdo tjetër nuk kanë shpikur në fshehtësi ndonjë formë, që mund të zhvendosin ndonjë etni në ndonjë territor jashtëtokësor kjo do vazhdojë dhe në qindra vitet në vazhdim. Për këtë arsye promovimi i bashkëjtesës është vetëm ‘common sense’ (mendim praktik), cdo gjë tjetër është një aventurë e rrezikshme, që nuk ka asnjë të ardhme. Në këto kushte rrugët janë dy, ose me luftë ose me dialog. Këtë e dinë të gjithë, e dinë madje dhe ata që nëpërmjet “nacionalizmit të dhunshëm” kërkojnë votën e shpejtë dhe pse nëse gjërat shkojnë në ekstrem ajo votë e ai pushtet nuk i duhet më jo vetëm atyre, por as dreqit të mallkuar! Hipokrizia e nacionalistëve është me afat skadence në kuptimin politik, por s’ka afat dhe kufi në katastrofën njerëzore, që ajo prodhon.
Situata ndërkohë në Ballkan është alarmante, nga njëra anë Kosova është në një kryqëzim të rrezikshëm jo vetëm me bashkësinë e komunave por dhe me gjyqin e komandantëve në Hagë (dhe pse kjo nuk merr vëmëndje). Në rast se kjo gjykatë speciale e ngritur mes shumë polemikash do te dënojë UÇK-në, do të vendosë në dyshim vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës, jo vetëm stabilitetin politik të saj, siç po ndodh ndërkohë me këtë presionin ndërkombëtar për bashkësinë e komunave, që po kërkohet sot.
Mali i Zi, që deri dje shihej si ‘safe haven’ (parajsë e sigurtë), sot përherë e më shumë jo vetëm po prodhon përplasje të dhunshme, por dhe ka momentin më të lartë të konfliktit ndëretnik që ka përjetuar ndonjëherë.
Në Shkup rritja e VMRO_DPMNE në sondazhe si pasojë e gjuhës raciste ndaj shqiptarëve dhe si plan politik izolimin jo vetëm do ndezi urrejtjen ndëretnike të një shteti, që në këto 5 vitet e fundit kishte bërë hapa galopantë drejt bashkëjetesës, por dhe do eklipsoj të ardhmen Europiane nëpërmjet bllokimit të proçesit të integrimit. Lëvizje kjo, që pashmangshmërisht do marrë dhe Shqipërinë poshtë. E nëse vazhdohet me këtë politikë obskurantiste kjo duket e pashmangshme, sidomos në kushtet kur partitë në Ballkan duan një sukses të menjëhershëm në zgjedhje pa marrë parasysh pasojat, që sjellin këto politika. E kur ndërkombëtarët janë duke kërkuar zgjidhje të shpejta pa marrë parasysh asnjë konteskt historik apo politik të vendeve, të cilave po u’a propozojnë këto zgjidhje, ngjajnë me arrogancën e të fortit që më pas nuk mban përgjegjësi për asgjë.
Për këto arsye zgjidhja nuk mund të vij as si paketë ndihme nga ndërkombëtarët, as si proces force nga brenda. I kemi provuar të dyja dhe më parë dhe nuk kanë funksionuar. Tani është koha për të ndërmarrë një proces të vështirë politik, por organik dhë të qëndrueshëm, ashtu si e bëri Europa më shumë se 60 vjet më parë, për një bashkëpunim ndëretnik ndërshtetëror me bazë njerëzit dhe rritjen e tyre ekonomike. Pra një Open Balkan, por jo të udhëhequr nga politikanët por nga njerëzit, të cilët nuk negociojnë nën terrorin e votës.
Open Balkan 2. 0
Për ta bërë të mundur këtë, nuk mjatojnë vetëm takimet mes krerëve të shteteve apo ministrave, por duhet një angazhim në të gjithë sektorët, qofshin ato publik privat apo të shoqërisë civile.
Largimi i punëtorëve të specializuar është një problem, që i prek të gjithë vendet e ballkanit njësoj, për këtë më shumë se disa ministra do mund të takoheshin krerët e sindikatave me punëmarrësit, për të zgjeruar tregun dhe për të bërë presion, që punëtorët të punonin lirshëm kudo në Ballkan, kjo mund të rriste pagat dhe sigurinë dhe nuk do kishin nevojë të jetonin larg familjes e vendit të tyre.
Dhomat e inxhinierëve dhe arkitektëve nëse unifikojnë diplomat e licencat papritur do kishin një treg me disa milionë më shumë klientë dhe do rritej perspektiva dhe për të mbajtur inxhinierët dhe arkitektët në këtë rajon por dhe për ti paguar më mirë.
Sot investimet në infrastrukturë e shohin rajonin si të tërë, pse do duhej, që kompanitë e zhvilimit të këtyre projekteve të mos punonin kudo në Ballkan dhe eventualisht ti eskportonim në Europë, nëse hiqen burokracitë kjo është mëse e mundshme.
Këto janë vetëm disa shembuj, por këtu mund të shtojmë bashkëpunimin në teknologji, bujqësi por për të bërë të mundur gjithë këtë na duhet një bashkëpunim organik jo vetëm me ata që bëjnë ligje, por dhe me ata që i “pësojnë” ato. Jo vetëm me ata, që janë të zgjedhur por dhe me ata që kanë zgjedhur me vullnetin e tyre të bëjnë një profesion e duan, që nëpërmjet këtij profesioni të bëjnë një jetë të dinjitetshme, por mbi të gjitha të mos paragjykohen nga etnia dhe të jetojnë në këtë cep të botës në paqe dhe pa ankthin, që çdo i çmendur që merr pushtetin ti shkatërroj gjithçka që kanë ndërtuar. Për të bërë këtë na duhet një front i madh ndëretnik ndërshtetëror anti-nacionalist në të gjithë vendet e ballkanit në një ombrellë njerëzish e organizatash progresiste.
Do të na duhet një front Anti-fashist Ballkanik për të ruajtur paqen e për të ri-përkufizuar të majtën, si të vetmen forcë ideologjike, që është e ndërtuar në një thelb internacionalist, që e përqafon të ndryshmen dhe e vë në funksion të së mirës së përbashkët. Një front anti-nacionalist, i cili mund ti japë Ballkanit mundësinë për të ndërtuar një realitet ekonomik të përbashkët, që është i drejtë për profesionistët e për punëtorët, një ekonomi që funksionon, që më pas mund të sjellë paqen ndër etnike me zëvëndesimin e hegjemonisë aktuale, që promovon dhunën dhe përçarjen në një “kulturë” të re të bashkëjetesës si ajo Europiane, në të cilën duam të integrohemi. E cila dhe pse jo rrallë e dorëzoj pushtetin në duar aventurierësh tregoj, që marevëshja e “çelikut” i rezistoj kohës dhe pavarsisht politikanëve popujt sot janë më të bashkuar se kurrë më parë në histori sepse “only love can conquer hate” (vetëm dashuria e njeriut për njeriun mund ta zhduk urrejtjen”! Ashtu si Anglia, Franca e Gjemania në Bashkimin Europian arritën të ndërtonin një ekonomi të përbashkët pavarësisht të shkuarës së përgjakshme, ndoshta ka ardhur koha, që edhe bashkëjetesa dhe fqinjësia e mirë të jetë një realitet i përditshmërisë së banorëve, që kanë ngelur në Ballkanin e Hapur.