Konferenca Debatuese-“Shqipëria e së ardhmes”
Debati Parlamentar u organizua me të rinj gjimnazistë e studentë nga gjimnazet e universitetet kryesore te Tiranës. Synimi kryesor i këtij aktiviteti ishte inkurajimi i mendimit kreativ dhe kritik i të rinjve pjesmarrës. Përpara zhvillimit të aktivitetit u zhvillua një seancë trajnimi më datë 5 Prill, ku të rinjtë u njohën gjithashtu me njëri-tjetrin dhe u ndanë në grupe prej 2 personash. Trajnimi u organizua në ambientet e Bashkisë Tiranë, ku trajnuesi Elson Frroku, prezantoi temën, formatin si dhe dha sqarime rreth modelit që do të përdorej në kampin debatues.
Çdo grup duhet të përgatitej për tezën pro dhe kundër temës së dhënë. Aktiviteti u organizua në “Hotel Dajti Park” ku 48 të rinjtë pjesmarrës tre ditët e debatit u akomoduan në hotel duke u njohur me axhenden e konferencës. Të rinjtë u përgatiten individualisht ose në grup mbi debatin.
Tema e debatit ishte: “Qeveria jonë beson që mos-bindja civile nuk është legjitime në një shtet demokratik për të arritur një qëllim politik”. Demokracia paraqet një nga themelet e organizimit të shteteve dhe shoqërive bashkëkohore. Të rinjtë pjesëmarrës duhet të zbulonin se si mund të ndërtonin diskutimin e tyre lidhur me temën e dhënë në mënyrë të argumentuar dhe të organizuar mbi fakte.